europe

Ketu do te gjeni shkrime te ndryshme, komente, analiza dhe informacione. Edhe ju mundeni te beheni pjese e kesaj nisme

 

Kontribuo diçka për atdhe. Emigro!

 Fehmi Hajra

Në kafenenë që ka çajin më të mirë në qytet, po rrinte ulur dhe krejtësisht vetëm arsimtari i gjuhës shqipe. Përpara kishte një gotë çaji me pika të kuqe në formë të lules që rrinin mbi disa vija të gjelberta, të cilat krijonin një rreth, që është karakteristikë e gotave me të cilat pihet ‘çaji i rusit’. I harruar prej kohësh nga miqtë dhe nxënësit e dikurshëm që e bënin të dukej në formë, ai ishte zhytur thellë në mendime. Kujtonte kohërat e paraluftës kur përpiqej me mish e me shpirt ta bind vetën dhe sidomos nxënësit e tij të mbetur, që të mos e lëshonin Kosovën, me idenë se i duheshin këtij vendi dhe se e ardhmja ka përgatitur një befasi të këndshme për të dhe për nxënësit e tij. Por, edhe për të gjithë ata shqiptarë që mendonin “se do të bëhet mirë” në çdo mëngjes kur edhe po pinin çaj.

E ardhmja e tyre vërtet se ishte befasi. Por assesi befasi siç e shpjegonte arsimtari i gjuhës të ardhmen e këtij vendi. Ai në orën e gjuhës shqipe vazhdimisht do ta përsëriste tashmë refrenin mitik mbi pasuritë tokësore dhe nëntokësore të Kosovës. Do t’i shkojë ora e gjuhës shqipe duke folur për këto pasuri, për minierat e shumta, për Trepçën, për pasuritë që ai thoshte se janë unike në botë. Nuk e kishte fare problem se ai ishte gjuhëtar dhe ora ishte e dedikuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Në vend të letërsisë, ai ishte i magjepsur me pasuritë dhe ëndrrën kur Kosova do të jetë e lirë. Kohë pas kohe, mendonte se do t’a shkruajë një libër me poezi dhe pasuritë nëntokësore e tokësore do të ishin frymëzimi kryesor, posa të lirohej pak nga aktivitetet e shumta. Ai këto pasuri i kishte kthyer në romantizëm nacional.

Qëllimisht. Dëshironte që nxënësit e tij ta duan dhe ta mbrojnë atdheun më shumë se sa ai. Nxënësit e tij edhe sot e kësaj dite, disa prej të cilëve kanë pozita të larta në shoqëri, dinë goxha shumë për pasuritë e Kosovës, por kanë probleme enorme me gjuhën shqipe.
Në kohën kur shumica po tentonin ta lëshonin Kosovën për të gjetur një jetë më të mirë në Perëndim, arsimtari i gjuhës shqipe i frymëzuar nga shkrimtarë dhe gjuhëtarë të njohur, mundohej që të bind nxënësit e tij, prindërit e tyre dhe më së shumti vetën që të mos emigrojnë. Me frymën që e shpjegonte të ardhmen, pasuritë dhe jetën kur do “të bëhet mirë” dhe “ku do të hamë me lugë dukati”, ia arrinte ta bind gjysmën e klasës që të mos e lëshonin Kosovën, dhe në ketë mënyrë që këtë të mos e bëjnë as prindërit e tyre.

Ndikimin e kishte të fortë tek nxënësit, sa që nganjëherë nxënësit e tij qëndronin në Kosovë ndërsa prindërit e tyre shkonin. Kishte lexuar dikund në psikologji, atë shembullin e optimistit dhe pesimistit me gotën gjysmë të zbrazur dhe këtë ai e aplikonte në klasë. Gjysma e klasës ishin me të. Kjo e bënte atë optimistë dhe me ndikim. Aty ai e kuptojë edhe një gjë për veten e tij: karizmën për të qenë lider. Do t’i vijë radha edhe kësaj, mendonte.

Pas shumë vitesh “shlirimi” jeta e tij ishte e vlefshme sa çaji i rusit që kishte përpara. Kjo ishte befasia më e madhe që kishte përgatitur e ardhmja për të cilën fliste aq shumë, para shumë vitesh. Të gjitha i dolën keq. Madje as qyteti ku ai jetonte, Vushtrria nuk po arrinte të krijoi një identitet të qytetit. E aq më pak të shndërrohej në “Paris të Vogël” epitet që ky i kishte dhënë në kohën e tij. Bile qyteti i tij nuk po arrinte të bëhej as sa një lagje ku jetonin “të huajt” dhe të varfrit e “Parisit të Madh”.

Pasuritë që ai i mendonte se do ta shndërronin Kosovën në Zvicër, nuk po jepnin dot produktin e tyre. Trepça ende është e pashfrytëzueshme, minierat ende nuk mund të bënin asgjë për të ringjallur ekonominë e vendit, turizmi kishte mbetur aty ku ishte në kohën e tij, me një dallim të vogël: tash ka një faqe interneti me disa fotografi të bukura nga vendet turistike në Kosovë, por arsimtari nuk mund t’i shoh këto, pasi që nuk është përdorues i internetit. Në kohën e tij nuk kishte internet.

Disa nga nxënësit e tij tashmë janë përgjegjës për sektorë të ekonomisë në Kosovë dhe në qytetin e tij, të cilët po vazhdojnë t’i shpjegojnë pasuritë me frymën e përrallave moderne. Ndërsa një pjesë e ish nxënësve të tij kanë pësuar shumë më keq. Kanë mbetur të papunë dhe pa dinjitet. Ata që tashmë janë zyrtarë për ekonomi do të vazhdojnë të ‘punojnë’ pa plane të qëndrueshme për zhvillim, por do të thonë se do “të bëhet mirë”. Sikurse arsimtari i dikurshëm i tyre.
Ai nuk arrin ta kuptojë gjendjen sot. Shumica e njerëzve që kishin zgjedhur të qëndronin në Kosovë në vitet e hershme të ‘90, po të kishin mundësi, këtë do ta bënin sot. Një hulumtim nga UNDP tregon se 50 % e të rinjve janë në gjendje të emigrojnë në vendet e Perëndimit. Kjo në fakt është shifër më e madhe se sa në kohën kur gjendja politike në Kosovë ishte shumë e rënduar. Ajo që e bënte joatraktive Kosovën për të jetuar deri vonë, ishte gjendja e mjerueshme dhe pasiguria se çka do të bëhet me të. Ndërsa ajo që e bën Kosovën joatraktive sot, nuk është se nuk e dimë se çfarë statusi do të kemi, por se çka do të behët pas këtij statusi.

Shumica e këtyre njerëzve të cilat janë të gatshëm ta lëshojnë vendin e tyre, mendojnë se edhe pas statusit do të kemi të njëjtit njerëz që do flasin për përralla moderne dhe do ta bëjnë jetën tonë të mjerueshme. Ndërkohë e vetmja shpresë për Kosovën do të jetë pasuria e njerëzve që kanë krijuar në Perëndim dhe nuk iu kanë bindur “romantizmit” me të cilin arsimtari i gjuhës shqipe e krijonte përfytyrimin e tij për të ardhmen. Nuk do të jenë as Trepca, e as pasuritë tjera që dikur quheshin ‘kombëtare’.

Para se t’i vinte koha për të shkuar nga kafja ku është myshteri i rregullt, arsimtari mendonte se më shumë mund të kontribuojnë njerëzit që kanë emigruar në vitet e hershme nga Kosova, se sa ata që janë në të. Do të mendojë se sa ironike mund të jetë jeta: për të kontribuar diçka për atdhe, qenkam dashur të emigrojë. Do t’i kujtohen fjalët e një bashkëqytetares së tij, e cila po përgatitet për diplomate në Itali, se uji që rrjedh edhe pihet.

Arkivuar nën: Euro
Nga fehmih
1 Mars 2008
3:05 pm
Komente: 0
 
 

Europianët e Komogllavës

Fehmi Hajra 

Komogllava është një fshat në komunën e Ferizajit, me një natyrë të bukur që të bën për vete posa ta shikosh. Në pjesën më të gjelbëruar të fshatit gjendet shkolla fillore, ku vijojnë mësimet nxënës nga ky fshat dhe nga disa fshatra për rreth. Shkolla është në kontrast me fshatin. Ajo është e dëmtuar dhe çuditërisht ka një hyrje të ngushtë. Menjëherë, ngjitur me hyrjen është drejtoria e shkollës, që të bën të mendosh se aty është vendosur qëllimisht për të kontrolluar hyrje-daljet në shkollë. E ndërtuar shumë kohë përpara, ajo duket e vjetër, së bashku me mësimdhënësit të cilët gjatë pauzës së shkurtë pinë çaj rusi. Pastaj, në pauzën e gjatë, mësuesit luajnë shah, ndërsa mësueset tregojnë histori nga më të ndryshmet, nganjeherë edhe se kush është martuar e kush ka “met te shpia”.  

Drejtori nuk shihet tek “salla e arsimtarëve”. Ai gjendet në zyren e tij. Nuk pi çaj rusi e as nuk luan shah. Me një qendrim të ashpër, ai gjendet në siklet. Edhe për pak ditë do t’i duhet ta lerë postin e drejtorit. Në vend të tij partia ka vendosur njeriun e saj, i cili thuhet se ndjek vijën partiake besnikërisht dhe ka miratimin nga qendra, element ky vendimtar për një post siç është ai i drejtorit të shkollës. Në zyren e drejtorit gjendet një kompjuter i fikur dhe i mbuluar me një “tentene” për të parandaluar pluhurin që gjindet gjithandej tavolinës ku drejtori ka vendosur dokumente të rendësishme me të cilat qeverisë shkollën. Drejtori nuk i ka në qef vizitat andaj i pret ftohtë mysafirët.  

Për dallim nga drejtori, mësuesit dhe mësueset e shkollës i gëzohen vizitave, sidomos nga Prishtina. Në shenjë miqësie të dergojnë në klasë, ku japin mësim çdo ditë pune. Aty të presin fëmijë të bukur, por të ulur ndaras meshkuj me femra, të cilët të shikojnë çuditshëm. Derisa mësuesi e “shënon oren” dhe nxënësit janë të heshtur, keni mundësi të shikoni klasën, që përvec fëmijëve nuk ka asgjë të bukur. Për një çast do të harroni se jeni në klasë të një shkolle kur përpara jush do të shihni një ambient të zymtë që të shkakton ndërprerje në frymëmarrje; do të shihni inventar të vjetër dhe të çrregulluar, një tabelë të zezë e të habitshme se si nuk po rrëzohet për parketin e lyer me ngjyrë të zezë që kundërmon; do të shihni dritare që vështirësojnë depërtimin e dritës në klasë me ç’rast klasa duket depresive dhe e neveritshme. E, kur mësuesi do t’i urdhërojë nxënësit të nxjerrin librat dhe t’i hapin në faqe 21, do të habiteni se si në ketë shkollë shekujt nuk paskan lëvizur.

Në shumicën e shkollave të Kosovës, sidomos ato fillore në zona rurale gjendja duket e pashpresë dhe nxënësit e mësimdhënësit ndjehen të harruar dhe të dëshpëruar nga çdo gjë. Me paga qesharake, shumica e mësimdhënësve të shtyer në moshë, kanë shumë probleme për t’u familjarizuar me programet dhe metodat e reja të mësimdhënies. Reformat duket se kanë krijuar vetëm huti dhe regres në sistemin arsimor.  

Ndërkohë jo shumë kilometra larg këtyre fëmijëve që mësojnë në kushte ekstremisht të vështira, politikanët kosovarë, sidomos ata në pushtet të prirë nga Kryeministri Çeku, në javët në vijim teksa “Dita e Europës” po afrohet, do t’iu flasin me entuziazëm atyre dhe neve, se si Kosova ka një të ardhme të garantuar në Europë. Kryeministri këtyre nxënësve dhe gjithë nxënësve të vendit, do t’iu premtojë në javët në vijim, se Qeveria e Kosovës do të bëjë çdo gjë që ata të rritën në një Kosovë që ka të ardhme të ndritur europiane, ashtu siç kanë premtuar edhe paraardhësit e tij. Ndërkohë, Ministri i Arsimit do të vazhdojë me konkursin e Ministrisë që udhëheqë për esenë më të mirë, me temën “Rruga e Kosovës për në Europë” dhe esetë më të mira të shkruara nga nxënësit kosovarë do të shpërblehen në ditën e Europës, me 9 maj. Ndoshta Ministri i Arsimit do ta zgjedh pikërisht shkollën fillore në Komogllavë me rastin e kësaj dite, që të mbajë një ligjeratë për t’i informuar se si Kosova po ecen me hapa progresivë drejt Unioni Europian. Do t’ju përmend dokumente siç është Partneriteti Europian, Mekanizmi Përcjellës i Marrëveshjes për Stabilizim – Asocim, e dokumente të tjera. Por nuk do t’i përmend “Kriteret e Kopenhagës” dhe assesi se çka kërkohet aty. Do të frikohet se nëse i përmend edhe një nxënës i shkollës fillore do ta kuptojë se Kosova është shumë larg integrimit europian. Do të frikohet nga reagimi i ndonjë nxënësi që do ta kuptojë se ajo që po flet Ministri është realitet fiktiv.

Pas ditës së Europës, me 10 maj nxënësit do të shkojnë në të njejtën shkollë dhe me të njejtat kushte të neverishtme. E, kur të kthehen pas dite nga shkolla do të shikojnë se si bashkëfshatarët e tyre të rritur janë mbledhur tek “zadruga” e fshatit, të cilët në mungesë të punësimit dhe përspektivës terë ditën diskutojnë se si të sigurojnë një vizë për të dalë jashtë këtij vendi. Këta të fundit janë realiteti europian i dukshëm në Kosovë. Por, Kryeministri Çeku, ngjajshëm siç kanë bërë edhe ata para tij, do ta injorojë krejtësisht ketë realitet. Do të vazhdojë të flasë me entuziazëm për integrimin e Kosovës në UE. Nuk do të lejojë që askush t’ia prishë festën e madhe. Vend e pavend do ta përseritë shpesh se Kosova ka të ardhme të ndritur në Europë, në mënyrë që ta besojë edhe vet atë çka thotë ose që e kanë këshilluar ta thotë.  

Ndërkohë, do të jetë një grup i njerëzve të cilët do ta ngrisin zërin kundër retorikës dhe izolimit që sot dominon në Kosovë, pesha e të cilave do të ndihet pikërisht në ditën e Europës me 9 maj, në vendin më të varfër europian. Por, çuditërisht një vend me politikanë shumë të pasur, të cilët janë kujdesur aq mirë që vet ta vizitojnë çdo cep të Europës dhe botës, me para të qytetarëve. Të përgatitur mirë që t’i arsyetojnë vizitat jashtë vendit për çështje të “pavarësisë dhe shtetësisë”, ata kanë harruar qytetarët e këtij vendi, të cilët gjenden të izoluar në pjesën më të varfër europiane - pjesë kjo që thuhet se ka pasuri të mëdha nën-tokësore, por varfëri dhe izolim mbi tokë.

Arkivuar nën: Pa kategori
Nga fehmih

3:01 pm
Komente: 0
 
 

Letër një mikut Francez

 Fehmi Hajra

Në ditën që lexova se Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, i kishte dërguar Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, letër urimi ku ai njihte në emër të Francës, shtetin e ri të Kosovës, gjëja e parë që mu kujtua ishit ju, mik i dashur. Në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, unë ta pata dhuruar një lule në një ditë të bukur me diell, në shenjë nderimi që ishit këtu. Ju kishit ardhur nga Franca në kuadër të ushtarëve të NATO-s. Unë kisha zbritur nga malet e Shalës së Bajgores, pas tre muajve.

Atë qershor unë isha 16 vjeç. Siç edhe mund ta kuptoje në mal nuk isha për piknik por për shkak të luftës. Na thanë që atje ka më pak rrezik. Por si i ri që isha atje frikohesha prej dy armiqve, mirë të identifikuar: paramilitarëve serbë dhe gjarpërinjve. Ditën prej të parëve, ndërsa natën prej të dytëve. Plot tre muaj të tërë kisha jetuar së bashku me frikën prej serbëve dhe gjarpërinjve. Që prej atëherë i urrej malet. Kjo frikë më ishte shndërruar në fobi. Nuk e di nëse jam shëruar nga kjo fobi sepse që prej asaj kohe nuk kam parë më as paramilitarë serb dhe as gjarpërinj.

Pas një kohe të vështirë të pata takuar ty dhe shokët tuaj, në qytetin tim të lirë dhe të mbrojtur nga ti dhe shokët tuaj. Pata ndjerë lumturi dhe siguri. Deri në atë kohë, këto dy ndjenja kishin kohë që më mungonin. Kur njeriu nuk ndjehet i sigurt nuk mund të ndjej as lumturi apo jo? Ju jeni ushtarak dhe e dini më mirë, besoj. E dini edhe atë që deri në kohën kur shteti i juaj dhe shumë shtete tjera intervenuan kundër Serbisë asnjë shqiptar i Kosovës nuk ndihej i sigurt. Një regjim i egër dhe çnjerëzor kishte marr përsipër që asnjë shqiptar të mos ndihej i sigurt dhe t’iu pamundësohej jeta në Kosovë. Në ketë vend ku u takuam unë dhe ti.

Ju kujtohet që ju vizitoja shpesh në vendqëndrimin tuaj. Edhe pse ishim me mosha, mentalitete dhe mënyrë jetese të ndryshme, prapë ju takoja shpesh. Ajo që na bashkonte ishte liria. Së paku kështu e ndjej unë. Ju kishit ardhur këtu nga një vend i largët në emër të lirisë së një populli që jetonte në robëri në fund të shekullit 20. Ndërsa unë kisha lexuar në libra se vendi, prej nga vini ju, mban epitetin e një shteti ku ka lindur liria njerëzore. Ju ishit dëshmia e asaj se çfarë kisha lexuar në libra për shtetin tuaj. Kjo bënte që të takoheshim shpesh me gjithë vështirësitë e komunikimit. Gjuha e huaj që unë e kuptoja dhe e flisja deri diku, ishte gjuha e atij policit që më përzuri nga shtëpia dhe më pas ia dha flakën duke e shkatërruar tërësisht. Ndërsa ju flisnit gjuhët që unë i adhuroja por nuk i kuptoja dot. Ne prapë mbetëm shokë, deri atëherë kur ju u kthyet në shtëpi. Që prej atëherë nuk jemi dëgjuar shpesh. Prandaj po të tregoj disa gjëra për vendin tim dhe vetën time.

Që prej asaj kohe disa gjëra kanë ndryshuar shumë, e disa kanë mbetur ashtu siç ishin. Tashmë unë nuk jam 16 vjeç, por 25. Jam rritur, duke e parë vendin tim teksa ecte një hap para dhe dy hapa mbrapa. Kam vizituar disa vende dhe më kanë pëlqyer shumë. Në krahasim me vendin tim ato janë shumë të zhvilluara por kuptohet sepse disa prej tyre nuk kanë pasur luftëra me qindra vite. Atje e kanë të vështirë të gjejnë vitet kur ka pasur luftë. Tek ne, ndodh e kundërta. E kemi të vështirë të gjejmë vite kur nuk ka pasur luftë apo dhunë. Po ashtu, kam krijuar shumë miqësi të reja prej shumë vendeve në Evropë dhe më larg.

Edhe vendi im ka ndryshuar në shumë aspekte. Por sikur atëherë edhe tash problemet me rrymë dhe ujë kanë mbetur të njëjta. E merr dot me mend që prej që je shkuar ti, asnjëherë nuk ka kaluar një javë e vetme në shtëpinë time kur ka pasur ujë dhe rrymë pa ndërprerë. Kështu ka ndodh me gjithë kosovarët në këto 8 vite. E di që s’më beson. Në fakt edhe vet e kam vështirë të besoj ketë që po ta them. Por kështu është. Thuhet që ka rrymë por problemi është te menaxhimi i keq dhe korrupsioni.

Por ndryshimi i madh ndodhi më 17 shkurt, kur Kuvendi i Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran. Ashtu siç është shteti i juaj i pavarur dhe sovran. Edhe pse me shumë vonesë kjo ditë ishte po aq emocionuese sa atë ditë kur u ktheva nga malet dhe e gjeta qytetin tim të lirë. Natën e 17 shkurtit e kalova në rrugët e Prishtinës dhe në lokale të ndryshme me miq dhe njerëz që kontribuuan në mënyra të ndryshme për ketë ditë. Ishte një emocion i fortë gëzimi, kur shihje të gjithë njerëzit e lumtur. Kjo nuk ndodh shpesh në Kosovë.

Atë ditë ndjeva se për herë të parë, në moshën 25 vjeçare më në fund i takojë një vendi të njohur nga shumë vende në mes tjerash edhe nga vendi yt. Deri në atë ditë isha një shqiptar i deklaruar por askund në dokumente nuk mund të gjeja këtë. Isha banor i Kosovës por nuk isha qytetar i saj në kuptimin e mirëfilltë juridik. Mbaj mend si sot, në verën e kaluar një polic kufitar norvegjez qeshi më pasaportën time, kur pa mbishkrimin UNMIK. Tash jam kosovar dhe do të kem pasaportën time të “Republikës së Kosovës”. Tash do të jem krenar për përkatësinë time. Deri atë ditë, isha një UNMIKistanez. Isha diçka që nuk doja të isha.

Tash detyra jonë është që ketë shtet të vogël dhe të varfër ta shndërrojmë në një shtet të fort ekonomik dhe në shtet ligjor. Nëse ndodh kjo mos u habitë, kur një ditë Kosova do ta ketë radhën e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe do t’i caktojë prioritetet e këtij Bashkimi, duke përfshirë edhe vendin tuaj. Si duket proverbi që vjen nga vendi i juaj se “sa më shumë që ndryshojnë gjerat, aq më shumë mbeten të njëjta” nuk e “rrok” edhe Kosovën. Këtu që prej 17 shkurtit asgjë nuk do të jetë njëjtë.

Faleminderit ty dhe shokëve tuaj që e ndihmuat çlirimin e këtij vendi. Faleminderit shtetit tuaj që e njohu Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran ndër të parat. Ishte befasi e këndshme për neve që mendojmë të jetojmë dhe zhvillohemi në ketë vend.

Arkivuar nën: Komente
Nga fehmih

2:04 pm
Komente: 0